Zgjedhjet e 11 majit patën një risi përsa i takon listës së kandidatëve për deputetë, ku një pjesë e tyre u futën në listën e mbyllur dhe pjesa më e madhe u lanë në listën preferenciale për të garuar me njëri-tjetrin në mënyrë që më i votuari të siguronte mandat.
Figurat më të shquara të partive politike që prej vitesh dominojnë skenën e politikëbërjes shqiptare u vunë përballë njëri-tjetrit në qarqe të ndryshme të Shqipërisë për të matur forcat.
Por ndryshe nga sa pritej, vendin e parë për deputetin më të votuar tek socialistët e ka marrë ish-gardisti i ’21 janarit” Agron Malaj i cili fitoi në Dibër me 12.492 vota. Malaj u dorëhoq nga posti i kryebashkiakut të Matit për të kandiduar si deputet në listën e hapur të PS.
Ndërsa vendin e dytë për numrin më të madh të votave për deputet në listën e hapur, e ka marrë një emër anonym në politikën shqiptare, Sara Mila e cila kandidonte në listën e qarkut të Elbasanit ku ka arritur të sigurojë 10.792 vota nga kutitë e numëruara deri më tani.
Emri i Miles është totalisht i palakuar më parë në politikë, ndërsa këtë herë ajo u bë pjesë e garës elektorale falë aplikimit në platformën e PS “Deputeti që duam”. I vetmi që e ka përmendur është kryedemokrati Sali Berisha i cili para se emri i saj të njihej, tha se i shumëkërkuari Suel Çela është vënë në veprim për të siguruar vota për Milan si “detyrë” që i është caktuar nga Rama.
“Suel Çela ditë e natë po zbaton urdhrat e Edi Ramës për të zgjedhur një Mile, Mile, Sara Mile, deputete. Rama i thoshte Suelit: kontributi yt në zgjedhje do të matet me sa vota do të marrë kandidatja Sara Mile,” deklaronte Berisha një muaj më parë.
Më të votuarit e socialistëve
Sara Mile ka lënë pas figurat më të shquara të qeverisjes 12 vjeçare të socialistëve, një prej tyre edhe Damian Gjiknuri i cili si kandidat në listën e hapur të Vlorës ka arritur të marrë 10.031 vota deri më tani.
Më të votuarit e PS në rang vendi:
1-Agron Malaj (Dibër) 12.492 vota
2-Sara Mila (Elbasan) 10.792 vota
3-Klevis Jahaj (Fier) 10.605 vota
4- Arkend Balla (Durrës) 10.120 vota
5- Damian Gjiknuri (Vlorë) 10.031 vota
6- Asfloral Haxhiu (Fier) 9726 vota
7-Tërmet Peçi (Tepelenë) 9468 vota
8-Vullnet Sinaj (Vlorë) 8757 vota
9- Blendi Gonxhja (Tiranë) 8085 vota
10- Edona Bilali (Shkodër)- 7730 vota
Ndërkohë pavarësisht se disa prej tyre kanë arritur ta sigurojnë një vend në parlamentin e ardhshëm, “veteranët” e PS si Fatmir Xhafaj, Erion Braçe e Anila Denaj, nuk figurojnë as në listën e 20 më të votuarve në rang vendi. Për të vijuar më tej me figura si Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka e Toni Gogu që nuk do të jenë në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit.
Më të votuarit në PD
Partia Demokratike për ndryshim nga PS, veteranët u kujdes që t’i vinte në listë të mbyllur në qarqet kryesore të vendit. Por në listën preferenciale të demokratëve, më i votuari në rang vendi rezulton Bardh Spahia në Shkodër me 8413 vota nga kutitë e numëruara deri më tani. Më pas ndiqet nga Shkëlqim Shehu në Kukës me 7493 vota.
Lista e më të votuarve të PD në rang vendi:
1-Bardh Spahia (Shkodër) 8413 vota
2-Shkëlqim Shehu (Kukës) 7493 vota
3- Parid Mahmutaj (Berat) 7133 vota, nuk do jetë në Kuvend
4-Isuf Çelaj (Kukës) 7060 vota, nuk do jetë në Kuvend
5-Gentian Çela (Fier) 6431 vota
6-Arian Ndoja (Durrës) 4859 vota
7-Lefter Maliqi (Berat) 4782, nuk do jetë pjesë e Kuvendit
8-Xhemal Gjunkshi (Dibër) 4689 vota, nuk do jetë pjesë e Kuvendit
9-Basir Çollaku (Dibër) 4562 vota, nuk do jetë pjesë e Kuvendit
10-Aulon Kalaja (Durrës) 4574 vota, nuk do jetë pjesë e Kuvendit
Ndërkohë Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku të cilët nuk ishin pjesë e listës të më të votuarve në rang vendi, janë aktualisht më të votuarit në Tiranë. Pavarësisht kësaj vetëm Ilir Alimehmeti nga lista e hapur e PD në Tiranë duket se do t’ja dalë për të qenë në Kuvendin e ardhshëm. Versus.al







