Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në qendrën për Inovacionin dhe Teknologjinë “NEST” ku u prezantua një start up i të rinjve shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.
Kreu i qeverisë ngulmoi që të ketë një tjetër angazhim përsa u takon projekteve zhvillimore me investues të ndryshëm. Ai tha se projekte të tilla nuk mund të mbeten në duart e blerjes me klering apo blerjes së rastësishme. Ndërsa paralajmëroi “listë të zezë” për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat.
“Nuk mundet dot këto projekte të realizohen siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek kleringu dhe blerësit që sjell rasti brenda për brenda vendit. Ato hapa që u prezantuan këtu, do duhet t’i parashohim edhe ligjërisht duke përfshirë garancitë për leje, listën e zezë të ndërtuesve që nuk respektojnë rregullat dhe pamundësinë për të marrë më leje dhe shumë gjëra të tjera që bota i ka dhe ka ardhur koha t’i bëjmë edhe ne”- deklaroi Rama.
Ai përsëriti gjithashtu se në kantierët e ndërtimit do të ketë kamera për monitorim gjatë gjithë ditës dhe natës të punimeve, gjë që sipas tij do të rrisë sigurinë dhe garantimin e projektit.
“Kjo që po bëjmë ne është një nga gjërat që mund të ndihmojë në lehtësimin e punës. Do ju sugjeroja që t’i hidhni një sy godinës këtu për të parë disa gjëra që mbase vlejnë. Ne do ta vendosim si kusht që kantierët e ndërtimit do kenë kamera dhe do monitorohen 24/24. Kjo gjë do t’ju vlejë juve në ndjekjen e punëve dhe praktikën tuaj, por është shumë e vlefshme që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit”- shtoi kryeministri. Versus.al







