Përplasja mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, dikur bashkëthemelues të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, është bërë zyrtarisht publike, pasi ka nisur beteja për një vend në Kuvendin e Shqipërisë.
Zanafilla e tensionit është një letër dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Zeqir Kordhoni, kandidat në listën e koalicionit dhe njëherazi daja i Endri Shabanit. Në këtë letër, ai njofton se nuk do të japë dorëheqjen, duke kërkuar që t’i jepet mandati si deputet — mandat që ndryshe do t’i shkonte Adriatik Lapajt, si kandidati pasardhës më i votuar.
Ky veprim ka nxitur një reagim të ashpër nga Lapaj, i cili ka akuzuar publikisht Shabanin dhe familjarët e tij se po tentojnë t’i marrin mandatin me manovra pas kuintave.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem,” shkruan Lapaj në një reagim të fortë në rrjetet sociale.
Ai shton se është luftuar nga të gjitha anët — përfshirë kryeministrin Rama, ish-kryeministrin Berisha dhe tashmë edhe nga ata që, sipas tij, “i futi në gji”.
Nuk ka vonuar përgjigjja nga Shabani, i cili ka zgjedhur që thumbimet t’i bëjë përmes vargjeve të Kico Spirit:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”. /Versus.al/







