POLITIKË /

Manastirliu në garë për Tiranën, Ristani: Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim

Pasi kryeministri Edi Rama zgjodhi Ogerta Manastirliun si kandidate të PS për bashkinë e Tiranës, kryetarja e Komanduar, Anuela Ristani, ka bërë një deklaratë publike ku ka reflektuar mbi periudhën e shërbimit të saj në krye të kryeqytetit.

Shkruar nga Versus
Manastirliu në garë për Tiranën, Ristani: Deri në
Anuela Ristani

Pasi kryeministri Edi Rama zgjodhi Ogerta Manastirliun si kandidate të PS për bashkinë e Tiranës, kryetarja e Komanduar, Anuela Ristani, ka bërë një deklaratë publike ku ka reflektuar mbi periudhën e shërbimit të saj në krye të kryeqytetit.

“Për më shumë se dhjetë vite kam pasur nderin të shërbej për këtë qytet, duke dhënë më të mirën, e bindur se Tirana meriton më të mirën”, u shpreh Ristani.

Ajo theksoi se detyra e saj si kryetare e deleguar ka ardhur në një periudhë të pazakontë dhe sfiduese, por se është përpjekur ta përmbushë me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare.

Në fjalën e saj, Ristani vlerësoi progresin që Tirana ka njohur gjatë dekadës së fundit, duke falënderuar Kryetarin Erion Veliaj për vizionin dhe bashkëpunimin. “Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon”, nënvizoi ajo.

Ristani shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa deklaroi se deri në ditën e fundit në detyrë do të punojë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë.

Në përmbyllje të deklaratës, ajo dha edhe një mesazh politik: “E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën, i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim”.

Deklaratë e Kryetares së Komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani:

Tirana është sfida dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale. Për më shumë se dhjetë vite kam pasur nderin të shërbej për këtë qytet, duke dhënë më të mirën, e bindur se Tirana meriton më të mirën.

Detyra ime si Kryetare e Deleguar ka ardhur në periudhën më të vështirë dhe më të pazakontë për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetin. Në thellësinë e ndërgjegjes sime, kam bërë gjithçka që kam mundur, duke e ndier këtë përgjegjësi si një detyrim moral dhe qytetar: me vendosmërinë për të mos çbërë asnjë milimetër nga progresi i arritur gjatë këtyre dhjetë viteve.

Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon.

Në këto muaj, sfidat kanë qenë kryefjala. Ndaj dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për çdo koleg, çdo qytetar që ka kontribuar, dhe veçanërisht për Kryeministrin z. Edi Rama, për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe në momentet më delikate.

Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë.

E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim!

Poll