
Ambasada e Bashkimit Europian ka ndarë së fundmi një mesazh në rrjetet sociale ku bën thirrje për mbrojtjen e habitateve natyrore pasi shumë specie po shkojnë drejt zhdukjes duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë.
Ndërkohë që në Shqipëri po zhvillohen protestat që tanimë po quhen “revolucioni i Flamingove”, BE bën thirrje që shpendët të mbrohen pasi mbi 49% e specieve janë në pakësim në botë.
“Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë. Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë.
Shpendët janë thelbësorë për natyrën: shpërndajnë fara, kontrollojnë insektet dhe ndihmojnë që ekosistemet të funksionojnë në mënyrë të shëndetshme.
Por humbja e habitateve dhe ndotja po i shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë.
Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh. Mbro natyrën, sa je në kohë”- shkruhet në postimin e bërë nga BE. Versus.al

