
Seanca e sotme plenare nisi ne ndryshime në rendin e ditës duke hequr projektligjin për gardën e republikës. Ndërsa pritet që as interpelanca e partisë “Mundësia” me Edi Ramën, të mos zhvillohet pasi kryeministri do të jetë në një vizitë zyrtare në Itali.
Që në nisje të seancës pati debate gjatë zhvillimit të interpelancës me ministrin e Bujqësisë Andis Salla. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha shkaktoi të qeshura mes socialistëve për shkak se kërkoi fjalën për replikë ndërkohë që Salla nuk e përmendi
“Më përmendi emrin me nënkuptim”- u shpreh Berisha dhe kaq mjaftoi që socialistët “të shkriheshin” së qeshuri.
Ndërsa në vijim, kryedemokrati kritikoi Sallën për heqjen e subvencioneve të naftës për fermerët.
“Le të gjejnë një vend të vetëm në Bashkimin Europian që ka hequr subvencionin e naftës. Absolutisht asnjë vend, ua them unë ju. Vendet në BE ndahen në tre grupe, ata që bëjnë subvencion maksimal, mesatar dhe të ulët. Këtë vit që Gjermani kishte subvencion mesatar, kaloi në subvencion maksimal”- shtoi kreu i PD. Versus.al

