
Një juriste shqiptare e cila punon në prokurorinë e Bolonjës ngriti problemet e vërteta që has diaspora në samitin e organizuar sot në Tiranë. Eva Baçi mori mikrofonin dhe tha se ishte e gatshme të punonte me orë shtesë për vendin e saj, por nënvizoi faktin se politikanët nuk dëgjojnë dhe se preferojnë vetëm të flasin pa veprime konkrete.
Mes të tjerash, përmendi edhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballën të cilit i tha se është larg realitetit me të cilin përballen emigrantët dhe se nuk mjaftojnë vetëm fjalët e përgatitura në formë drame.
“Drama e këtij samiti është shkruar shumë bukur. Si ai regjisori që shkruan dramën shumë të bukur, dëgjojmë narrativa. Por mungojnë aktorët kryesorë, që është diaspora. Ky është samiti I diasporës dhe përveç hapjes që fjala u jepet ministrave, aktorët kryesorë jemi ne. unë kam shkruar personalisht për të folur dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur që ne vetëm dëgjojmë.
Kam mbaruar 3 fakultete në Bolonjë, si unë dhe shumë të tjerë këtu kemi kërkuar të japim kontributin tonë. Mund të bëj edhe 20 orë punë në vendin tim. Narrativa është shumë e bukur, por nuk e keni idenë çfarë do të thotë sakrifica. Hapni dyert sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. U keni mbyllur dyert të gjithë personave të përgatitur. Taulant Balla, je larg, shumë larg realitetit. Votën mund ta kalosh edhe 4 vite të tjera, por duhet të lësh një emër. Jemi të gjithë kalimtarë, duhet të lëmë emër, jo vetëm të vidhni dhe të siguroni njerëzit tuaj”- u shpreh juristja. Versus.al

