Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale ka dënuar atentatin me armë zjarri ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili pas të shtënave, mbeti i plagosur në njërin vesh.
Duke e cilësuar si “president”, Meta shkruan në facebook, se Trump është qëlluar për shkak të ideve dhe vizionit të tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin me armë ndaj Presidentit Trump, i cili për fat të mirë i shpëtoi atentatit në Pensilvani, që fatkeqësisht shkaktoi dhe viktima të pafajshme.
U bashkohem lutjeve për familjet që humbën të dashurit dhe për shërimin sa më të shpejtë të Presidentit Trump, i cili mori një plumb për shkak të ideve dhe vizionit të tij për të bërë Amerikën sërish të Madhe.
Solidaritetin e plotë me Presidentin Trump, të cilit i uroj sa më parë të rikthehet edhe më i fortë në betejën e tij të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan!”- shkruan Meta. Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al


