POLITIKË /

'Na ka vlerësuar me votë'/ I pakënaqur me situatën në Fier, Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve lokalë

Vizita e tij vjen pas ndërhyrjeve të ngjashme në Bashkinë e Vlorës, duke treguar qartë se qeveria synon ta shtrijë këtë iniciativë edhe në Fier dhe Durrës.

Shkruar nga Versus

'Na ka vlerësuar me votë'/  I pakënaqur me

Pas aksionit të nisur disa ditë më parë në Vlorë, Kryeministri Edi Rama e zhvendosi sot fokusin vetëm pak kilometra më larg, në Fier.

Gjatë një mbledhjeje me tone të ashpra në ambientet e Bashkisë Fier, Rama shprehu pakënaqësinë e tij për performancën e drejtuesve vendorë dhe kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve që varen nga bashkia.

Ky veprim u paralajmërua prej tij disa orë më parë dhe vjen si pjesë e të ashtuquajturit “aksion vetëpastrimi” që ka nisur në pushtetin lokal.

“Jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm. Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zone”, mësohet të ketë thënë Rama gjatë mbledhjes.

Dorëheqja është kërkuar për të gjithë drejtuesit e drejtorive rajonale në Fier, dy nënkryetarët e bashkisë, si dhe për drejtuesit e departamenteve brenda institucionit vendor.

Mësohet se Rama u ka kërkuar llogari për mënyrën e administrimit të punëve në qytet, duke u ndalur veçanërisht te zaptimi i hapësirave publike. Në Fier pritet të nisë një aksion i ngjashëm me atë që është ndërmarrë më herët në Vlorë.

Gjendja e pastërtisë në qytet ka qenë një tjetër pikë kritike, për të cilën kryeministri u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve lokalë. Sipas tij, ata nuk kanë dëgjuar dhe nuk u janë përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve.

Rama ka theksuar se besimi që qytetarët i kanë dhënë Partisë Socialiste në Fier me 12 mandate duhet të kthehet në punë konkrete dhe respekt për ta. “Ata na kanë vlerësuar me votë, ndaj ky vlerësim duhet kthyer me respekt ndaj tyre”, është shprehur ai.

Në takimin me dyer të mbyllura, Rama ishte i shoqëruar nga drejtuesja politike e qarkut Fier, Belinda Balluku, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe deputetja e zonës, Antoneta Dhima./Versus.al

 

Poll