Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një mbledhje me furnizuesit e naftës në vendin tonë për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas luftës në Lindjen e Mesme. Pavarësisht se më herët gjatë ditës së sotme Konfindustria tha se nafta në Shqipëri është rritur më shtrenjtë se në çdo vend të rajonit, Rama përgëzoi kompanitë e karburanteve duke u shprehur konsideratë për ‘rritjen e moderuar’.
“Aktualisht unë kam marrë në mënyrë të vazhdueshme informacion nga ministrat që janë të pranishëm dhe para se t’ju kaloj fjalën, dua të shpreh konsideratën pozitive për qasjen tuaj e cila ka qenë e përgjegjshme pasi në tërësi në treg dhe përmes bursave është konstatuar një rritje deri në 40% të çmimit, në Shqipëri çmimi është rritur, por në mënyrë të moderuar sesa rritja që është parë në vende të tjera”- u shpreh Rama.
Ndërsa u kërkoi të ruanin të njëjtin ekuilibër, Rama tha se deri më tani nuk është parë e arsyeshme që të ngrihet Bordi i Transparencës për çmimin e karburanteve.
“Ruani këtë ekuilibër që keni ruajtur deri tani. Ne nuk kemi parë të arsyeshme edhe duke u nisur nga komunikimet e mëparshme me ju edhe përmes ministrave që të hedhim hapin dhe të kalojmë në bord. Pasi në fund të ditës nëse dialogu funksionon si deri tani, nuk e kemi qëllimin që t’ju shtrëngojmë juve, por që bashkarisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra në supet e konsumatorëve”- shtoi kreu i qeverisë.
Që pas nisjes së luftës në Lindjes së Mesme, ndër vendet e para që mori masat për mbrojtjen e qytetarëve ishte Kroacia e cila vendosi kufirin prej 1.5 eurosh si maksimalin në rast të rritjes së çmimit karburanteve. Versus.al



