Në takimin përmbyllës elektoral të zhvilluar në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama pati një thirrje për herë të parë ndaj emigrantëve shqiptarë sa i takon problemeve me shpërndarjen e zarfeve të votimit.
Duke e cilësuar si një “mishmash” situatën, Rama u kërkoi emigrantëve që të shkojnë në zyrat e postës DHL për të marrë fletën e votimit dhe më pas ta dorëzojnë po aty.
“Këtu përfitoj nga rasti, duke shpresuar dhe besuar që na shohin nga Greqia. Ju them, ju që jeni regjistruar për të votuar. U bë një mishmash, jo DHL, jo ku e di unë se ca. Por, tanimë mundësia është. Do ju lutesha atyre që janë regjistruar, të marrin zarfin, të marrin votën, të vendosin edhe ata për ta çuar në vend këtë amanet shekullor, për t’iu dhënë fëmijëve në Greqi dhe vetes tyre, këtë pasaportë europiane. Shqiptarët e Greqisë e janë ata që mund ta kuptojnë më mirë se gjithë shqiptarët, se ca do të thotë. Kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, kjo nuk është thjesht që ne kur shkojmë në aeroporte të mos na nxjerrin ashtu si të huaj, si që qytetarë të dorës së dytë, për të filluar të na kontrollojnë”, tha Rama.
Teksa në vijim të thirrjes së tij u tha emigrantëve shqiptarë në Greqi të cilët janë regjistruar për të votuar që të mos e lënë fletën si një copë të pavlerë, por të shkojnë dhe ta marrin.
“Ata që janë në antkh a do u njihet ndonjëherë pensioni, nuk mund ta lënë zarfin rrugëve, as votën për të cilën janë regjistruar të mbetet si një copë letër e pavlerë. Duhet të shkojnë ta marrin me çdo kusht dhe ta dërgojnë në Tiranë. Ka edhe disa ditë kohë, është plotësisht e mundur. U bëj thirrje ta dërgojnë në Tiranë”- deklaroi Rama. Versus.al








