
Ditën e nesërme Partia Demokratike ka njoftuar se do të mbajë një protestë kombëtare para Kuvendit. Protesta do të nisë në orën 10:00 njëkohësisht me seancën plenare ku do të votohet lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut.
Policia ka marrë përsipër protestën duke njoftuar se nga ora 06:00 të mëngjesit deri në përfundimin e tubimit, rruga “George W.Bush” do të jetë e bllokuar. Po ashtu njofton se mund të ketë kufizime të qarkullimit edhe në rrugë të tjera gjatë zhvillimit të protestës.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Të hënën gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se nuk do të votonin për pranimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes. Versus.al


