POLITIKË /

New York Times: Këshilltarët e Trump u paguan mbi 1.6 milionë dollarë nga Partia Demokratike

Partia Demokratike e Shqipërisë humbi keq në zgjedhjet e majit, pavarësisht përpjekjeve të z. LaCivita dhe Paul Manafort , i cili drejtoi shkurtimisht fushatën e z. Trump në vitin 2016, për ta pozicionuar udhëheqësin e partisë, ish-Presidentin Sali Berisha, figure e ngjashme me Trumpin.

Shkruar nga Versus
New York Times: Këshilltarët e Trump u paguan mbi 1.6 milionë
Chris LaCivita dhe Sali Berisha

Konsulentët që punuan në fushatat presidenciale të Donald J. Trump u paguan më shumë se 1.6 milionë dollarë për të këshilluar një parti opozitare konservatore shqiptare mbi strategjinë e saj për zgjedhjet parlamentare në maj, sipas një raporti financiar të paraqitur të hënën.

Në raportin, të paraqitur në komisionin zgjedhor të Shqipërisë, Partia Demokratike e Shqipërisë zbuloi pagesa që arrijnë në total ekuivalentin e më shumë se 1.62 milion dollarëve për firmën konsulente të Chris LaCivita, i cili ndihmoi në menaxhimin e fushatës së zotit Trump për zgjedhjet e vitit 2024, dhe gati 65,000 dollarë për sondazhe nga firma e Tony Fabrizio, i cili ka këshilluar operacionin politik të Trump.

Partia Demokratike e Shqipërisë humbi keq në zgjedhjet e majit, pavarësisht përpjekjeve të z. LaCivita dhe Paul Manafort , i cili drejtoi shkurtimisht fushatën e z. Trump në vitin 2016, për ta pozicionuar udhëheqësin e partisë, ish-Presidentin Sali Berisha, figure e ngjashme me Trumpin.

Pagesat, të cilat u listuan në monedhën shqiptare, ndodhën gjatë një periudhe më pak se katër muajsh, duke filluar nga mesi i shkurtit dhe duke përfunduar në fund të majit, sipas raportit.

Z. LaCivita punoi si pjesë e një ekipi në Shqipëri me z. Fabrizio dhe z. Manafort.

Marrëveshja ngre mundësinë që firma e z. LaCivita, Advancing Strategies, mund të ketë nënkontraktuar z. Fabrizio dhe z. Manafort, e cila është një strukturë standarde për konsulentët e fushatave.

Të tre burrat i kanë ofruar shërbimet e tyre si një ekip fushatave të tjera jashtë vendit që nga fitorja e z. Trump vjeshtën e kaluar.

Konsulentët politikë amerikanë që fitojnë garat presidenciale në SHBA shpesh janë shumë të kërkuar në të gjithë botën dhe nuk është e pazakontë që ata të përfitojnë shumë nga fushatat e huaja .

Z. LaCivita, i cili udhëtoi disa herë në Shqipëri gjatë fushatës për të mbështetur z. Berishën , nuk pranoi të komentonte.

Z. Manafort dhe z. Fabrizio nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Z. LaCivita dhe z. Manafort e paraqesin z. Berishën si viktimë të një gjuetie shtrigash të organizuar nga rivalët vendas dhe demokratët, përfshirë megadonatorin miliarder George Soros dhe administratën e ish-Presidentit Joseph R. Biden Jr.

Z. Berisha po përballet me akuza për korrupsion në Shqipëri në lidhje me një marrëveshje pronësore, dhe në vitin 2021 ai u sanksionua nga administrata Biden për "korrupsion të konsiderueshëm", sipas një deklarate nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken .

Ai e akuzoi z. Berishën për përvetësim të fondeve publike dhe për përdorimin e pushtetit të tij për të pasuruar aleatët dhe familjen e tij.

Pasi partia e zotit Berishë humbi ndaj Partisë Socialiste në pushtet të kryeministrit Edi Rama, zoti LaCivita përforcoi pretendimet e zotit Berisha se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Një rinumërim i kërkuar nga partia e zotit Berisha nuk i mbështeti këto pretendime./Përshtatur nga New York Times

Poll