
Në Pallatin e Kongreseve ka mbërritur arkëmorti me trupin e pajetë të liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Në ceremoninë e homazheve janë të pranishëm familjarët e tij bashkëshortja Xhoana Nano, djali Sokoli dhe ish-bashkëshortja Rexhina si dhe shumë të afërm e miq. Homazhet publike kanë nisur që në orën 08:30.
Në orarin 11:15–11:45 do të zhvillohen homazhet zyrtare nga personalitetet shtetërore dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Më pas, një pjesëtar i familjes do të mbajë një fjalë përshëndetëse, ndërsa kryeministri Edi Rama pasuesi i Fatos Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste do të mbajë fjalimin e tij në nder të figurës së ish-kryeministrit. Në ceremoni marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndër ta kryeministri Albin Kurti dhe lideri Ali Ahmeti.
Në nderim të kontributit të tij në jetën politike e publike të vendit, data 2 nëntor është shpallur ditë zie kombëtare. Flamujt në të gjitha institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Ceremonia shtetërore do të përfundojë në orën 12:05, kur trupi i Fatos Nanos do të niset me nderime nga Pallati i Kongreseve drejt banesës së fundit në varrezat e Sharrës. Familja ka kërkuar që shërbesa fetare, sipas ritit ortodoks, të zhvillohet në privatësi në banesën e tyre, në respekt të dëshirës dhe besimit të tij fetar.
