
Aksioni i paralajmëruar prej kohësh nga PD sa i takon protestave dhe aksioneve në jetën parlamentare mesa duket do të nisë që prej ditës së sotme. Duke qenë se seanca e kaluar plenare u mbyll pa u përfunduar diskutimet teksa në rend dite ishte edhe ligji për barazinë gjinore, PD ka vendosur që të bojkotojë komisionet derisa të ketë një vendim të dytë.
Ndërkohë në orën 12:30 grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet për të marrë një vendim mbi aksionin politik dhe për protestat e paralajmëruar nga kreu i PD, Sali Berisha i cili i ka quajtur të vonuara.
“Derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, asnjë deputet nuk merr pjesë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër nuk shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare”, thuhet në mesazhin dërguar deputetëve të PD. Versus.al

