POLITIKË /

Njoftimi i policisë për protestën e PD-së: 15 të arrestuar, nën hetim edhe deputeti Klevis Balliu, shtyu të miturit drejt krimit

Policia njofton se gjatë tubimit disa protestues hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe fishekzjarre ndaj institucioneve si Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës dhe zona pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhet selia e Partisë Socialiste.

Shkruar nga Versus

Njoftimi i policisë për protestën e PD-së: 15 të

Pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike më 22 mars 2026, Policia e Shtetit ka arrestuar 15 persona dhe ka vënë nën hetim në gjendje të lirë 9 të tjerë. Mes personave të shoqëruar ka pasur edhe të mitur, të cilët janë lënë të lirë pas procedurave.

Policia njofton se gjatë tubimit disa protestues hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe fishekzjarre ndaj institucioneve si Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës dhe zona pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhet selia e Partisë Socialiste.

Si pasojë e përplasjes me protestuesit, gjashtë efektivë policie mbetën të lënduar dhe po marrin trajtim mjekësor në spital, duke qenë jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, gjatë protestës u shkaktuan dëmtime në disa godina, u dogjën disa kosha mbeturinash dhe një automjet policie.

Sipas veprimeve hetimore, u identifikuan 24 persona që kryen veprime të kundërligjshme. Prej tyre, 15 u arrestuan në flagrancë, ndërsa 9 të tjerë po procedohen penalisht. Të arrestuarit janë: O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç.

Procedimi penal ka nisur gjithashtu për shtetasit K. M., E. H., L. M. dhe për pesë të mitur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, ku ka nisur edhe procedimi penal për deputetin demokrat Klevis Balliu, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit./Versus.al

Poll