POLITIKË /

Nuk justifikoi dot pasurinë, shkarkohet nga detyra Gjyqtarja Eranda Laze, motra e Ermonela Felaj

U konstatua se as Laze dhe as bashkëshorti i saj nuk arritën të justifikojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave, përfshirë edhe ato të ardhura që ky i fundit deklaronte nga avokatia, të cilat nuk ishin shoqëruar me dokumentacion tatimor të rregullt.

Shkruar nga Versus

 

Nuk justifikoi dot pasurinë, shkarkohet nga detyra Gjyqtarja Eranda Laze,

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të shkarkojë nga detyra prokuroren e Tiranës, Eranda Laze, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili e kishte konfirmuar atë në detyrë më 8 nëntor të vitit të kaluar. Vendimi i KPA-së vjen pas një ankimi të paraqitur nga Komisionerët Publikë dhe pas rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Sipas vendimit të shpallur më 29 korrik, Kolegji çmoi të bazuara shumicën e shkaqeve të ankimit, përfshirë pamundësinë e provimit të burimeve të ligjshme financiare për blerjen e një apartamenti në vlerë 40 mijë euro dhe të këstit të fundit të një apartamenti tjetër. U konstatua se as Laze dhe as bashkëshorti i saj nuk arritën të justifikojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave, përfshirë edhe ato të ardhura që ky i fundit deklaronte nga avokatia, të cilat nuk ishin shoqëruar me dokumentacion tatimor të rregullt.

Gjithashtu, KPA gjeti të drejtë pretendimet mbi mungesën e transparencës për një tokë të dhuruar bashkëshortit të saj, marrëdhënien e paqartë me dhuruesit, si dhe ndërtimin informal në proces legalizimi dhe investimin në një garazh në zonë turistike, për të cilin nuk u dhanë shpjegime të mjaftueshme, pavarësisht se bashkëshorti i saj jeton në Itali.

Për më tepër, trupi gjykues vlerësoi si të rëndësishme edhe udhëtimet e prokurores me persona të dyshuar për lidhje me veprimtari kriminale, duke i konsideruar ato si tregues të mungesës së kujdesit dhe etikës që i kërkohet një subjekti të sistemit të drejtësisë.

Ndryshe nga KPK, që e konfirmoi Laze-n në detyrë duke reduktuar bilancin negativ të pasurisë nga 10 milionë në 1.5 milionë lekë dhe duke i konsideruar sqarimet e saj si bindëse, KPA arriti në përfundimin se deklarimi i pasurisë së saj ishte i pamjaftueshëm dhe jo i besueshëm në tërësi, duke vendosur në fund shkarkimin nga detyra.

Laze, e cila është motra e ish-deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, është tashmë një tjetër emër në listën e zyrtarëve të drejtësisë të shkarkuar në kuadër të procesit të rivlerësimit (vetingut), proces ky që vazhdon të ndryshojë rrënjësisht strukturën e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend.

KPA, si hallka më e lartë e procesit të vetingut, ka pasur një rol kyç në korrigjimin e vendimeve të diskutueshme të KPK-së, sidomos në rastet kur janë konstatuar mangësi të rënda në deklarimin e pasurisë, etikë apo profesionalizëm. /Versus.al

Poll