
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 17 prill në Tiranë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga e gjithë Shqipëria dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se Rama “ka vetëm një rrugë, dorëheqjen”, ndërsa akuzoi qeverinë për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe për dorëzim të lejeve të ndërtimit tek persona të lidhur me botën e krimit. Ai përmendi edhe emra konkretë, duke pretenduar se biznesmenë janë marrë peng dhe se institucionet janë përdorur për interesa kriminale dhe financiare.
Lideri i opozitës u ndal edhe tek protestat e zhvilluara deri tani, për të cilat tha se kanë pasur jehonë ndërkombëtare dhe sipas tij kanë ndikuar në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë shqiptare. Ai theksoi se protesta nuk duhet parë si një reagim i momentit, por si një proces i gjatë politik.
I pyetur për hapat e ardhshëm, përfshirë mundësinë e një greve urie, Berisha u shpreh se të gjitha opsionet janë në diskutim, duke shtuar se beteja e opozitës do të kalojë në disa faza dhe se, sipas tij, opozita do të vijojë aksionin deri në arritjen e qëllimit politik.

