POLITIKË /

Paraqitja e Elda Hotit në SPAK, Bardhi: Qesharake! Nuk e dija se prokurorët e SPAK merren me nuhatje

Bardhi tha se është garda ajo që bën referimin e materialeve lidhur me atë që ndodh në Kuvend dhe jo policia.

Shkruar nga Versus

Paraqitja e Elda Hotit në SPAK, Bardhi: Qesharake! Nuk e dija se

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për mediat jashtë Kuvendit pasi deputetja demokrate Elda Hoti u paraqit në SPAK lidhur me akuzat e bëra nga deputetët socialistë se kishte hedhur benzinë ndaj tyre.

Bardhi e cilësoi si “qesharak” faktin që SPAK po merret me këtë çështje, duke argumentuar se ka gjëra shumë më të rëndësishme të cilat duhen hetuar dhe ndëshkuar, duke përmendur emrin e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Mbi bazën e nuhatjes së Ilir Proda kishte bërë në seancën plenare, sot koleges time iu mor 30 minuta kohë për një çështje qesharake. Ne kemi paditur aferën e inceneratorëve me miliona euro ku është i përfshirë Erion Veliaj e deri tek Belinda Balluku pë 180 milionë euro për të cilën SPAK-u nuk gjen kohën për ta thirrur. Unë e kuptoj se disa prokurorë duan të japin mesazhin se janë në shërbim të Edi Ramës por të harxhojnë kohën e tyre me çështje qesharake, kjo pastaj vë në dyshim të gjithë besimin tek trupa e prokurorëve. Policia e shtetit nuk ka asnjë lidhje me seancën plenare dhe SPAK duhet të marrë nën hetim policinë e shtetit që futet në ambientet e Kuvendit.

Mesa kuptoj unë prioritet për SPAK-un është mbështetja e drejtorit të bandave të Elbasanit. U bëj thirrje prokurorëve të merren me korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar sepse ka kaq shumë gjëra për t’u hetuar sesa nuhatja e shishes së Elda Hotit.

Nuhatjen e tyre ia kanë përcjellë prokurores dhe është bërë qesharake. Nuk mund të vihet dot SPAK-u në lëvizje kundër deputetëve, është garda që raporton. Këto janë çështje idiote, nëse duan të bëjnë punën të thërrasin Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn. Ne nuk e dinim se u kemi dhënë besim prokurorëve të SPAK-ut dhe i kemi paguar për nuhatje”- u shpreh Bardhi.

Deputetët socialistë gjatë seancës së zhvilluar më 17 tetor, e cilësuan si "benzinë" materialin e lëngshëm të cilin Elda Hoti e hodhi drejt tyre. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se kjo përbën vepër penale dhe kërkoi që SPAK të nisë hetimet. Ndërsa vetë deputetja tha për mediat se kishte qenë aromatizues dhe jo benzinë siç pretendohej nga PS. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: