POLITIKË /

Parku i Edenit në Kryeministri, Rama: Është ambient dinjitoz për të pritur liderët e huaj

Rama theksoi se ambienti nuk shërben vetëm për pritjen e vizitorëve të huaj, por do të jetë i hapur edhe për punonjësit e Kryeministrisë dhe publikun gjatë eventeve të veçanta.

Shkruar nga Versus

Parku i Edenit në Kryeministri, Rama: Është ambient dinjitoz

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për investimin prej 3.6 milionë eurosh brenda ndërtesës së Kryeministrisë, duke e konsideruar atë jo thjesht luks, por një element me vlerë për përfaqësimin e Shqipërisë.

Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, Rama tha se mjedisi i ri nuk ka vetëm funksion praktike, por edhe simbolike.

“Ka kushtuar shumë-shumë herë më pak sesa vlen dhe mbi të gjitha, këtu është dera që hapet për miqtë që na vizitojnë dhe mundësia për t’i pritur në një atmosferë dhe në kushte që tregojnë dinjitet dhe tregojnë se çfarë vizioni kemi ne për këtë vend është një vlerë e madhe e shtuar”, deklaroi ai.

Rama theksoi se ambienti nuk shërben vetëm për pritjen e vizitorëve të huaj, por do të jetë i hapur edhe për punonjësit e Kryeministrisë dhe publikun gjatë eventeve të veçanta. Ai e përshkroi si një investim të papërfillshëm në krahasim me përfitimet që sjell për imazhin dhe vizionin e vendit.

“Përputhet gjithmonë e më shumë me shumë realitete në Shqipëri. Ka shumë realitete në Shqipëri që kanë ndryshuar. Natyrisht që të bëhet e gjitha kështu do dojë kohën e vet, por edhe njëherë, janë shpenzime të papërfillshme në krahasim me vlerën e shtuar që krijojnë dhe në krahasim me çfarë na sjellin më pas. Ndërtimi është investim shtetëror. Të mikpresësh këtu presidentin e Emirateve të Bashkuara, bashkë me ministrat kryesorë të Emirateve të Bashkuara dhe ne e dimë shumë mirë se çfarë kanë bërë ata dhe çfarë bëjnë ata çdo ditë me zhvillimin dhe të ndihesh mirë kur sheh që interesohen për mënyrën si është ndërtuar, për qasjen që ka, për të qenit një strukturë, e cila reflekton edhe simbolikën e kohës, që është përpjekja për të pasur më shumë natyrë, më shumë gjelbërim, më shumë atmosferë, harmoni me natyrën në mes të qytetit është diçka që të bën të ndihesh mirë për Shqipërinë. Ky nuk është oborri i shtëpisë sime, ky është një park inovativ, i cili do t’i shërbejë të gjithë kryeministrave më pas dhe do jetë një vlerë e kësaj godine shumë e shtuar”, tha Rama.

Projekti në fjalë është ideuar nga një studio austriake dhe si bazë ka drurin. Në vend që të vendoset një kopsht në tokë, krijohet një kopsht tre dimensional që lejon zhvillimin e programeve dhe eventeve publike të ndryshme.

Tags:

edi rama

Poll