Lëvizja “Shqipëria Bëhet” zhvilloi sot protestën e paralajmëruar përpara godinës së Kryeministrisë, ku dhjetëra qytetarë dhe mbështetës u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kjo shënon protestën e pestë kombëtare të organizuar nga lëvizja, ndërkohë që kreu i saj, Lapaj, dhe mbështetësit e tij kanë vijuar qëndresën poshtë zyrës së Ramës për më shumë se dy muaj.
Gjatë fjalës së tij, Lapaj theksoi se protesta nuk do të ndalet, pavarësisht presioneve dhe frikës që shumë qytetarë ndjejnë për vendet e punës, bizneset apo ndihmën ekonomike.
Ai shtoi se qëndresa buron nga bindja se përballja është mes padrejtësisë dhe drejtësisë, mes pushtetit dhe qytetarëve të zakonshëm.
“Pse nuk po ndalemi asnjë çast? Edhe pse këta me makuterinë e tyre kanë bërë çdo gjë që të ikim nga ky shesh. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në betejën mes padrejtësisë dhe pushtetit dhe drejtësisë dhe popullit të vjedhur nga ana tjetër, ne na duhet me gjithë shpirt të rreshtohemi krah drejtësisë. Shumë mendojnë janë mirë, shumë mendojnë se kanë një rrogë apo dy, një pjesë tjetër kanë frikë për bizneset e tyre, një pjesë tjetër kanë frikë se mos ua heqin ndihmën ekonomike apo përfitime të tjera që marrin nga shteti.
Vëllezër, ti, ju jeni mirë deri ditën që nuk keni rënë në hall, sepse ditën që keni rënë në hall me këtë shtet jeni keq. Kjo po dëshmohet çdo ditë. Ju jeni të vetëm kur përballeni me sëmundje sepse kur vjedhja e ilaçeve nuk ka trokitur në derën tuaj ju keni heshtur. Duke heshtur ju bëtë që këta të fuqizohen, t’ju shtypin. Ndaj ne kemi vendosur të mos heshtim, të qëndrojmë pa u ndalur sepse ne dimë që nuk ka rrugë tjetër, përveç qëndresës dhe goditjes së pandalshme të një sistemi që vjedh dhe vetëm vjedh”, u shpreh Lapaj.
Kjo protestë vjen vetëm një ditë pas protestës së mbajtur nga Sali Berisha, i cili mbrëmjen e së shtunës shkoi poshtë zyrës së Ramës, por ndryshe nga herët e tjera nuk përdori molotovë dhe nuk mbajti fjalim./Versus.al

