Partia Demokratike ka ngritur sot alarmin për një tjetër rast të dyshuar të shpërdorimit të fondeve publike, këtë herë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, akuzoi qeverinë se ka kthyer tenderat shtetërorë në mjete për pasurimin e familjarëve dhe klientëve të Partisë Socialiste.
Në qendër të denoncimit është një procedurë e kufizuar tenderimi e zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga ministri Pirro Vëngu, për projektin: “Ndërtimi i rrethimit të jashtëm pjesor, sistemi i vëzhgimit me kamera, rrjeti i ndriçimit perimetral, ndërtimi i portave hyrëse dhe vendqëndrimi i rojeve në pronën nr. 318 dhe 319, Mengël, Elbasan.”
Sipas PD, në këtë procedurë mori pjesë vetëm një operator ekonomik, i cili u shpall fitues me një ofertë prej 460 mijë euro, që përbën 98% të fondit limit. Kjo ka ngritur dyshime serioze për mungesë konkurrence dhe transparencë në përzgjedhjen e fituesit.
Kompanitë fituese dhe lidhjet me pushtetin vendor të PS
Tenderi është fituar nga një bashkim operatorësh i përbërë nga dy kompani, për të cilat PD pretendon se kanë lidhje të ngushta me pushtetin vendor socialist:
“G & M CONSTRUCTION 07” sh.p.k., në pronësi të Maliq Zotkaj, djali i kryebashkiakut të Poliçanit, dhe Oligert Dyrmishi, ish-drejtor ndërtimi në të njëjtën bashki;
“ASI-2A CO” sh.p.k., në pronësi të bashkëshortit dhe kunatit të Eleni Gjikondaj, ish-nënkryetare e Bashkisë Fier dhe aktualisht këshilltare për çështjet ekonomike në këtë bashki.
“Ky është një tjetër shembull i qartë se si fondet publike përdoren për të shpërblyer rrethin familjar dhe klientelist të pushtetit, madje edhe në sektorë kyç si mbrojtja dhe siguria,” – tha Vangjeli.
Partia Demokratike i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të nisin hetime të menjëhershme mbi këtë tender, duke kërkuar ndalimin e praktikave korruptive që dëmtojnë interesin publik dhe sigurinë kombëtare.
“Taksat e qytetarëve nuk mund të përdoren për tendera të mbyllur dhe të paracaktuar për klientët e pushtetit. Çdo procedurë duhet të zhvillohet me konkurrencë reale, transparencë dhe në shërbim të qytetarëve,” – u shpreh zëdhënësja e PD-së.
Sipas PD, ky rast është vetëm një ndër shumë të tjerë që tregojnë se në vend të konkurrencës së ndershme dhe transparencës, tenderët publikë po shërbejnë si burim pasurimi për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin.







