Në qarkun e Vlorës ka mbaruar numërimi për votat preferenciale ndaj deputetëve të renditur në listat e hapura të partive.
PS ka arritur të marrë 9 mandate në këtë qark, ndërsa PD ka marrë 3 mandate, ose një më pak se lista e mbyllur. Sipas rezultateve të deritanishme ndërkohë që ende janë duke u numëruar votat e diasporës, PS rezulton të ketë siguruar 5 ulëse në Kuvend për kandidatët e listës së hapur.
Në Kuvendin e ri do të jenë Damian Gjiknuri i cili rezulton më i votuari me 10.031 vota, Vullnet Sinaj me 9757 vota, Ardit Bido me 7360 vota, Vasil Llajo me 4894 vota dhe Brunilda Mersini me 4892 vota.
Jashtë Kuvendit ka mbetur kandidatja përfaqësuese e komunitetit rom, Ina Majko për të cilën kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do t’i japë një post ministreje në qeverinë e re. Majko ka siguruar vetëm 338 vota nga qytetarët e Vlorës.
Ndërkohë PD nuk ka arritur që të sigurojë asnjë ulëse në Kuvendin e ri për kandidatët në listën e hapur, duke lënë jashtë Petraq Gjikurinë, i cili kandidoi për kryetar bashkie në Himarë, dhe humbi përballë Vangjel Tavos. Versus.al







