Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka bërë një analizë të drejtpërdrejtë mbi krizën e thellë që po kalon PD-ja, duke theksuar mungesën e reflektimit dhe reformimit brenda kësaj force politike gjatë një interviste televizive.
Sula komentoi edhe përpjekjet e PD-së për të lobuar në SHBA për të hequr shpalljen “non grata” të Sali Berishës, duke e konsideruar këtë një zhvillim me rëndësi. Sipas tij, një përgjigje zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit – edhe nëse është negative – do të ndihmonte në mbylljen e një kapitulli që ka ndarë PD-në dhe ka nxitur përçarje të thella.
“Letra e firmës lobuese drejtuar DASH është një moment kyç. Një përgjigje e qartë do të sillte fundin e debatit që ka shkaktuar luftë civile brenda PD-së. Kjo mund të shërbejë si një pikënisje e re, qoftë për Berishën, qoftë për vetë partinë,” u shpreh ai.
Sipas Sulës, PD e humbi një mundësi për pajtim dhe reformim që në prill 2022, kur pjesë e demokratëve kërkuan reflektim, por udhëheqja zgjodhi rrugën e përjashtimeve dhe përçarjes.
“Sot nuk ka një bashkim real. Janë bërë bashkë disa individë në grupin parlamentar, por në bazë nuk ka ndodhur asgjë. Rreth 250 mijë votues janë larguar nga PD drejt partive të vogla. Kush do ta bëjë analizën e humbjes? Ata që nuk marrin as votat e shtëpisë së tyre?” tha ai me ironi.
Sula e përshkroi PD-në si një parti në “agoni”, ndërsa Sali Berishës i la dy rrugë përpara: ose të tërhiqet me dinjitet dhe të shpëtojë trashëgiminë që ndërtoi, ose të ndërmarrë një reformë të thellë dhe të sinqertë brenda partisë.
“Zgjidhja më dinjitoze do ishte që zoti Berisha të tërhiqej duke ruajtur atë që ndërtoi. PD është në agoni. Duhet reformim real, nga strukturat e deri te figura që nuk kanë më mbështetje. Është turp që numri dy i PD të jetë një person me formim kaq të dobët,” theksoi ai, duke përmendur me emra Flamur Nokën dhe Albanë Vokshin.
Nëse kjo nuk ndodh, Sula sheh si të vetmen alternativë një “foltore” të re, një lëvizje të brendshme që të ringjallë shpresën për opozitën. Ai përmendi edhe emra si Agron Shehaj, i cili sipas tij ka një shans real për t’u konsoliduar si alternativë, ndryshe nga partitë e tjera që parashikon se do të zhbëhen.
Duke parë përpara, Sula tha se vëmendja e tij është tek shtatori, ku pret sinjale nga figura si Jorida Tabaku, Belind Këlliçi dhe Ervin Salianji.
“Nëse këto figura nisin një lëvizje të re, do të ishte diçka pozitive. Nëse zgjedhin të heshtin për të ruajtur karrigen, atëherë çdo shpresë ka marrë fund.”
Në fund, Sula theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga politika për shkak të intrigave apo presioneve të brendshme:
“Nuk do ta lë politikën në mënyrë të pavullnetshme. Përveç Berishës, të tjerët i shoh më poshtë se vetja. Politika duhet të ketë moral,” përfundoi ai. /Versus.al







