POLITIKË /

Përfundon rinumërimi i votave për qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi humb mandatin e deputetes

Në garën më të fortë brenda PS-së, Zegjine Çaushi humbi mandatin për vetëm 10 vota në favor të rivalës Maldrita Bardho.

Shkruar nga Versus
Përfundon rinumërimi i votave për qarkun e Fierit, Zegjine
Zegjine Çaushi/ Maldrita Bardho

Ka përfunduar rinumërimi i votave për qarkun e Fierit, ndërsa pritet të nisë edhe ai për Durrësin.

Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë janë hapur gjithsej 586 kuti, proces i cili përfundoi në orën 15:30.

Në garën më të fortë brenda PS-së, Zegjine Çaushi humbi mandatin për vetëm 10 vota në favor të rivalës Maldrita Bardho.

Nga rinumërimi, Çaushit iu hoqën 48 vota, ndërsa Bardhos iu shtuan 26, duke ndryshuar rezultatin fillestar që favorizonte Çaushin me 64 vota më shumë.

Partia Demokratike ka humbur 147 vota që i kishte fituar pa bazë, ndërsa PS-së i janë shtuar 30 vota që më parë i ishin hequr.

Kjo situatë e pamundëson Nismës Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt të marrë mandatin nga PS-ja, pasi i nevojiteshin 519 vota për të futur kandidatin Azmer Duleviç në Kuvend.

Për më tepër, koalicionit të Lapajt i janë hequr edhe 8 vota të fituara më parë pa bazë.

Partitë e tjera kanë pësuar ndryshime më të vogla: Lëvizjes Bashkë i janë hequr 12 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim 3 vota, ndërsa PSD-së së Tom Doshit i janë shtuar 8 vota që më parë i ishin hequr./Versus.al

 

Poll