POLITIKË /

"Policia u sulmua, nuk përdori dhunë", Koçiu për protestën e PD: I mituri i arrestuar gjuante me gurë

Sipas ministres, policia nuk ka përdorur dhunë ndërsa sa i takon të miturit deklaroi se ishte verifikuar sipas ligjit dhe më pas ishte lënë i lirë.

Shkruar nga Versus

"Policia u sulmua, nuk përdori dhunë", Koçiu për

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka folur në kuvend për protestën e mbajtur më 24 dhjetor ku u arrestuan 18 protestues dhe u raportuan disa të lënduar, mes të cilëve 11 policë.

Koçiu tha se policia nuk kishte përdorur dhunë, por ishte kundërpërgjigjur për të mbrojtur jetën e efektivëve të cilët po goditeshin me molotov e sende të forta.

“Dua të garantoj të gjithë qytetarët se policia e shtetit e kreu detyrën e saj më së miri. Policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve. Ajo që ndodhi ishte se policia u përball me dhunë. Punonjësit e policisë u goditën me lëndë piroteknike e sende të forta dhe si pasojë e këtyre akteve 11 prej tyre u lënduan.

Policia ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave. Ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e tyre u bë evident, atëherë u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës. Akuzat se ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pabazuara. Çdo veprim është kryer mbi parimin e proporcionalitetit. Dhuna nuk është e drejtë politike. Sulmi ndaj policisë nuk është protestë por shkelje e ligjit dhe cënimit të rendit demokratik”- tha Koçiu.

Sa i takon arrestimit të djalit të mitur, ministrja nënvizoi se ai ishte kapur teksa gjuante me gurë efektivët dhe se nuk ishte dhunuar në asnjë moment siç u pretendua fillimisht prej tij.

“Gjatë veprimeve të policisë u konstatua një i mitur që po gjuante me gur e sende të forta kundrejt policinë. Për këtë arsye për të mbrojtur jetën e punonjësve të policisë, por edhe vetë të miturin, ai u mor për verifikime sipas ligjit. Rezultoi se bëhej fjalë për një shtetas 14 vjeçar dhe i mituri për asnjë moment nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme apo çnjerëzore”- shtoi ministrja. Versus.al

Poll