Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp nga Parku Olimpik i Tiranës, ku vijon procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, përfshirë edhe votat e ardhura nga diaspora shqiptare.
I pyetur mbi ritmet e ngadalta të numërimit të fletëve të votimit nga jashtë vendit, Celibashi sqaroi se procesi është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të ngarkesës së lartë administrative, si dhe lodhjes së komisionerëve që janë përfshirë në përpunimin e materialeve zgjedhore.
“Procesi po merr shumë kohë për të numëruar dhe vlerësuar fletët e votimit nga jashtë, për shkak të ngarkesës së madhe në përpunimin e dokumentacionit përkatës. Dje humbëm mjaft kohë për shkak të debateve për fletët e votimit nga jashtë,” – u shpreh Celibashi.
Ai shtoi se një tjetër faktor është mungesa e përvojës në këtë proces, i cili është aplikuar për herë të parë në mënyrë masive për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Ritmet janë të ulëta jo për mungesë dëshire, por për shkak të performancës. Janë të lodhur, disa janë që prej 48 orësh non stop në këto ambiente,” – theksoi ai.
Në përfundim, Celibashi i bëri thirrje partive politike që të rishikojnë dhe rinovojnë përbërjen e ekipeve të tyre të numërimit, në mënyrë që të shmanget lodhja dhe të garantohet efikasiteti i procesit në ditët në vijim. /Versus.al/







