Kryeministri Edi Rama vizitoi ambientet e ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, pas 'bombardimit' me fishekzjarre e molotovë në protestën e organizuar nga opozita ditën e djeshme.
Rama e përshkroi ngjarjen si “një sulm të verbër të një grushti të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë”, duke akuzuar udhëheqës të moshuar kriminalë dhe deputetë që mbështesin veprime të tilla.
Ai kritikoi gjithashtu gjyqësorin, duke theksuar se gjykatësit që lirojnë “zjarrvënës të rrezikshëm” janë bashkëpërgjegjës për vandalizmat dhe sulmet që sipas tij nuk ndodhin askund tjetër në Europë. Rama u shpreh se në selitë e partive parlamentare nuk bëhen diskutime për ide apo programe, por vetëm plane dhune dhe prodhime të armëve artizanale.
“Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që e vështron Shqipërinë sikur nuk është atdheu i saj!”, tha Rama, duke shprehur solidaritet me artistët e traumatizuar.
Postimi i kryeministrit Rama në X:
Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme. Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush! Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale! Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!/Versus.al
Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
— Edi Rama (@ediramaal) March 1, 2026
Një sulm i verbër… pic.twitter.com/a3IEPuzqld

