POLITIKË /

Daja e Endrit Shabanit vë në rrezik ëndrrën e Lapajt për të hyrë në parlament, Kordhoni: Nuk mbaj mend çfarë kam firmosur

“Po na sjell shumë andralla Adriatiku, një herë do hyj e një herë nuk do hyj. Por unë nuk jam i bindur se cfarë do bëj. Duhet që Adriatiku të ulet ballë për ballë me mua dhe ta sqarojmë këtë histori. Kam punuar 72 orë me të pa shkuar në shtëpi e jam edhe invalid”

Shkruar nga Versus
Daja e Endrit Shabanit vë në rrezik ëndrrën e Lapajt
Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj

Daja e Endrit Shabanit, Zeqir Kordhoni rrezikon të prishë ëndrrat e Adriatik Lapajt për të hyrë në parlament në shtator.

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” për zgjedhjet e përgjithshme e 11 majit e përbërë nga 'Nisma Thurje' e Endrit Shabanit dhe 'Shqipëria bëhet' e Adriatik Lapajt mbushi listën e mbyllur në Tiranë me 12 emra kandidatësh fiktivë, të cilët do të digjnin mandatin, në mënyrë që të fitonte më i votuari nga lista e hapur.

Kështu, fituese e mandatit të NSHB në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Që ai të hyjë në parlament, duhet që Ana Dajko dhe 11 të tjerët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin, në mënyrë që karrigen e Kuvendit ta zërë lideri i koalicionit.

Nisma Shqipëria Bëhet ka dorëzuar dorëheqjet e të gjithë emrave në listë të mbyllur. Mes tyre është edhe Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e Tiranës. Sipas CV-së së tij, ai është një punëtor ndërtimi dhe një invalid që trajtohet me KEMP.

Por Kordhoni nuk është i bindur për lënien e mandatit dhe i është drejtuar KQZ-së me një letër me shkrim dore, ku e cilëson veten deputet dhe kërkon kopje të dorëheqjes së tij. 

Daja e Endrit Shabanit vë në rrezik ëndrrën e Lapajt
Letra e Zeqir Kordhoni drejtuar KQZ-së

Kordhoni gjatë një interviste pë ReportTV tha se ka firmosur shumë gjëra gjatë kandidimin dhe se nuk ishte i qartë nëse kishte firmosur edhe mospranimin e mandatit të deputetit. Por ai ishte i qartë, se nëse Lapaj dëshiron të shkojë në Kuvend, duhet të kalojë më parë nga ai.

“Po na sjell shumë andralla Adriatiku, një herë do hyj e një herë nuk do hyj. Por unë nuk jam i bindur se cfarë do bëj. Duhet që Adriatiku të ulet ballë për ballë me mua dhe ta sqarojmë këtë histori. Kam punuar 72 orë me të pa shkuar në shtëpi e jam edhe invalid”,-tha Zeqir Kordhoni.

Kordhoni pohon se në listën e Tiranës është një prej emrave të propozuar nga Partia Nisma Thurje. Dorëheqja e dorëzuar prej tij është një formular i thjeshtë i cili nuk është bërë përpara ndonjë noteri apo zyrtari tjetër./Versus.al

 

Poll