Debate të forta janë raportuar gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë kryeministri Edi Rama dhe deputeti Erion Braçe.
Shkak i përplasjes u bë mënyra se si u zhvillua votimi për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), përfshirë edhe zgjedhjen e drejtuesit të ri të këtij institucioni.
Braçe ka shprehur pakënaqësi për faktin se, sipas tij, deputetët u kërkua të votonin kandidatë pa pasur mundësi t’i njihnin apo t’i diskutonin më parë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e ndjekur në këtë proces.
"Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur."
Kjo kritikë ka sjellë reagimin e kryeministrit Rama, i cili ka theksuar se emrat e propozuar për KPP janë vendim i qeverisë dhe se procedura e votimit në Kuvend lidhet me kërkesa të Bashkimit Evropian.
"Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend."
Debati ka vijuar edhe më tej, ndërsa Braçe ka këmbëngulur në qëndrimin e tij.
Sipas raportimeve, në kulmin e diskutimit Rama iu drejtua deputetit me tone të ashpra.
“Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik p*rdhu.”
Pas këtij episodi, kryeministri u ka përcjellë një mesazh edhe deputetëve të tjerë socialistë, duke paralajmëruar se mund të marrë masa ndaj atyre që, sipas tij, nuk respektojnë disiplinën e grupit.
"Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet."
Sipas raportimeve, kjo nuk është hera e parë që në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PS-së regjistrohen përplasje mes Edi Ramës dhe deputetëve socialistë, pasi edhe në të kaluarën kanë pasur debate të ngjashme dhe paralajmërime për masa disiplinore.

