Kryeministri Edi Rama ka njoftuar zyrtarisht nisjen e pushimeve verore për kabinetin qeveritar. Gjatë mbledhjes së sotme, e cila fillimisht ishte njoftuar si mbledhje pune, Rama informoi ministrat se takimi i radhës do të zhvillohet në fund të muajit gusht – çka shënon edhe pauzën zyrtare të punës për qeverinë.
Por gushti do të jetë vetëm një qetësi e përkohshme. Sipas burimeve, në fund të muajit pritet të bëhen publike edhe ndryshimet në kabinet, përfshirë emrat e ministrave që do të rinovojnë mandatin apo do të zëvendësohen.
Gjatë muajve të fundit, Rama ka theksuar nevojën për efikasitet në punën e ministrave, veçanërisht në terren, me fokus në zbatimin e aksioneve për lirimin e hapësirave publike dhe zhvillimin e territorit, një nismë që ai e ka cilësuar si “reformë prioritare”.
Nuk kanë munguar as kritikat e drejtpërdrejta ndaj disa anëtarëve të kabinetit, duke lënë të kuptohet se fundi i gushtit do të shënojë një bilanc të qartë të performancës së secilit.
Paralelisht me riformatimin e kabinetit qeveritar, Rama ka paralajmëruar se nuk do të mungojnë ndryshimet brenda vetë Partisë Socialiste. Pranvera politike e socialistëve pritet të nisë herët këtë vjeshtë, me lëvizje që do të prekin jo vetëm strukturat drejtuese, por ndoshta edhe mënyrën e funksionimit të partisë në raport me qeverisjen. /Versus.al







