POLITIKË /

Qeveria miraton 53 milionë lekë dëmshpërblim për fermerët e prekur nga murtaja e bagëtive

Qeveria akordoi mbi 53 milionë lekë për dëmshpërblimin e fermerëve, bagëtitë e të cilëve u prekën nga murtaja e ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025. Fondi do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2026.

Shkruar nga Versus
Qeveria miraton 53 milionë lekë dëmshpërblim për
Foto ilustruese

Qeveria ka miratuar dëmshpërblimin për fermerët, kafshët e të cilëve u prekën nga sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025.

Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, ku u përcaktua një fond total prej 53 345 500 lekësh për kompensimin e pronarëve të kafshëve që janë therur, eliminuar, shkatërruar apo groposur pas konfirmimit të sëmundjes.

Sipas vendimit, dëmshpërblimi do të mbulohet nga buxheti i vitit 2026 i miratuar për Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të programit për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Autoritetet sqarojnë se kompensimi do të bëhet për kafshët që rezultuan pozitive nga analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË VLERËS SË DËMIT DHE TË DËMSHPËRBLIMIT TË PRONARËVE PËR KAFSHËT E THERURA, TË ELIMINUARA, TË SHKATËRRUARA E TË GROPOSURA NGA SËMUNDJA E MURTAJËS SË RUMINANTËVE TË VEGJËL NË VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e dëmshpërblimit, në masën e përgjithshme prej 53 345 500 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind) lekësh, pronarëve të kafshëve që janë therur, janë eliminuar, janë shkatërruar dhe janë groposur, pasi kanë rezultuar pozitive me sëmundjen e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025, në bazë të analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Pronarët dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga shpenzimet korrente, në programin buxhetor 04220 “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./Versus.al

Poll