Vetëm deri nesër, në kryeqytet do të jenë çliruar rreth 20 mijë metra katrorë hapësira publike të zëna padrejtësisht, si pjesë e aksionit të gjerë që ka nisur në të gjithë vendin për rikthimin e trotuareve dhe shesheve tek qytetarët.
Kryeministri Edi Rama përmes një deklarate të bërë publike në rrjetet e tij sociale, thekson se “ky fenomen nuk do të tolerohet më”, as në Tiranë, as në qytetet e tjera, dhe veçanërisht jo në zonat bregdetare apo të mbrojtura, ku zaptimi i hapësirës publike ka arritur përmasa shqetësuese.
Në të njëjtën kohë, është konfirmuar se ka nisur puna për projektet e “Rilindjes Urbane 2.0”, ku janë angazhuar arkitektë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë. Këto projekte synojnë jo vetëm sistemimin e hapësirave publike, por edhe rikonceptimin modern të tyre.
Ndërsa për përdorimin e hapësirave për tavolina nga subjektet e shërbimit, do të aplikohet një formulë standarde: 75% për këmbësorët dhe 25% për biznesin, dhe nuk do të lejohet më asnjë lloj ndërtese apo strukture mbi trotuare, përveç rasteve të justifikuara me projekt urban.
Ky aksion shënon një kthesë të qartë drejt një qytetarie më funksionale, ku prioritet ka qytetari dhe jo spekulimi me hapësirën publike.







