POLITIKË /

Rama e hoqi nga çdo funksion në PS, Spiropali ia nxjerr inatin Taulant Ballës

Më herët Balla kishte deklaruar se duhej që të mblidhej grupi parlamentar që të merrej një vendim lidhur me mungesën e Spiropalit në votimin që u bë për imunitetin e Ballukut.

Shkruar nga Versus
Rama e hoqi nga çdo funksion në PS, Spiropali ia nxjerr inatin
Elisa Spiropali, Taulant Balla

Deklarata e kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, se i takon grupit të gjykojë dhe të marrë një vendim për mospjesëmarrjen e Elisa Spiropalit në seancën ku do të votohej për rrëzimin e kërkesës së SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, ka shkaktuar një reagim inatçor të Spiropalit.

Me një ton kërcënues ndaj deklaratës së Ballës se do të mbledhë grupin parlamentar për këtë çështje, Spiropali shkruan në faqen e saj në Facebook: "Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë".

Deri tani, qëndrimet e Spiropalit kanë ngjasuar me një kryengritje të heshtur që prej shkarkimit të saj nga posti i ministres së jashtme. E vetmja deklaratë thumbuese ndaj kryeministrit Edi Rama ishte ajo e bërë në Kuvend, ku tha se Sali Berisha e dinte më parë shkarkimin e saj.

Por nëse ndaj Ramës nuk ka guxuar të tentojë një përballje direkte, Spiropali tani i është vërsulur Taulant Ballës, duke iu kanosur me debate në mbledhjen e grupit parlamentar të paralajmëruar prej tij.

Qëndrimet e ish-ministres së jashtme duket se janë radikalizuar pasi Edi Rama e shkarkoi edhe nga funksioni si drejtuese politike e Kavajës, ndërsa në mbledhjen e fundit të Asamblesë Socialiste rezultati zgjedhor i Kavajës nën drejtimin e Spiropalit u konsiderua ndër më të dobëtit që PS mori në zgjedhjet parlamentare të 2025. Versus.al

Poll