POLITIKË /

Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë, krim, plehrat që sjellin prurjet e lumenjve tani janë të neveritshme

Edi Rama thekson se përmbytjet nuk shkaktohen vetëm nga moti ekstrem, por edhe nga papërgjegjshmëria njerëzore, duke e cilësuar ndotjen me plastika si një krim ndaj natyrës dhe vendit.

Shkruar nga Versus
Rama: Hedhjet e plastikës në rrugë, krim, plehrat që sjellin
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur ashpër për rolin e faktorëve njerëzorë në përkeqësimin e situatave të përmbytjeve, gjatë një deklarate në podcastin “Flasim”.

Duke iu referuar reshjeve intensive të ditëve të fundit, Rama theksoi se sasia e shiut që ra brenda katër ditësh ishte e barabartë me mesataren mujore të janarit, por sipas tij, përtej kushteve atmosferike dhe ndryshimeve klimatike, pesha e njeriut është vendimtare.

Ai u ndal veçanërisht te ndotja masive nga plastika, duke e cilësuar si “të frikshme, të neveritshme dhe kriminale” pamjen e lumenjve të mbushur me mbetje.

Rama kritikoi ashpër hedhjen e shisheve dhe qeseve plastike në rrugë e në natyrë, duke e quajtur këtë sjellje një përdhosje të Shqipërisë, të identitetit kombëtar dhe të emrit shqiptar.

Kryeministri deklaroi se qeveria nuk do të dorëzohet dhe paralajmëroi masa të reja për sensibilizim, informim dhe ndëshkim ndaj ndotjes së mjedisit. Sipas tij, çdo veprim i tillë ndaj natyrës ka vetëm një përkufizim: “krim”.

“Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, krim”, tha Rama./ Versus.al

Tags:

edi rama

Poll