Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Demokratike e Shqipërisë është, sipas tij, e vetmja parti në Europë që ka të përfshirë në program dhunën dhe shkatërrimin e pronës. Deklaratat ai i bëri gjatë podcastit të tij “Flasim”.
Rama akuzoi drejtuesit e opozitës se, sipas tij, organizojnë akte të dhunshme gjatë protestave, duke pretenduar se persona të paguar hedhin mjete shpërthyese artizanale ndaj policisë me synim plagosjen e efektivëve dhe krijimin e tensioneve.
Ai shtoi se protesta të tilla dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare dhe, në mënyrë indirekte, iu referua liderit historik të opozitës Sali Berisha si organizator të tyre.
“Në Europë ka protestues anarkistë, huliganë, neofashistë, por qysh nga koha e partive famëkëqija në Gjermani e Itali të shumë viteve më parë, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë pjesë të pandarë të programit të saj shkatërrimin e pronës, ushtrimin e dhunës dhe organizimin e trupava paramilitare. Rrugeçërit e lagjes me maska paguhen për të hedhur molotovë. Mercenarët tani kanë kaluar në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale, të përgatitura nga udhëheqja e PD-së, që synojnë plagosjen e sa më shumë policëve. Këto protesta janë si një jashtëderdhje e plakut të lajthitur që i organizon që dalin në mediat e huaja dhe që prishin imazhin e Shqipërisë”, është shprehur Rama./Versus.al

