POLITIKË /

Rama i përgjigjet akuzave për korrupsion: Shqipëria po lë pas krimin dhe po tërheq investime rekord

Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj akuzave për korrupsion, duke theksuar se Shqipëria po përjeton rritje të ndjeshme të turizmit dhe investimeve. Ai deklaroi se vendi po lë pas krimin e organizuar dhe po bëhet gjithnjë e më tërheqës për investitorët e huaj.

Shkruar nga Versus
Rama i përgjigjet akuzave për korrupsion: Shqipëria po lë
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave për korrupsion dhe krim të organizuar gjatë fjalës së tij në edicionin e dytë të “MatchMaker Albania”, duke theksuar se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme dhe nuk mund të cilësohet më si një vend problematik.

Ai u shpreh se kritikat ndaj vendit janë të pabazuara, duke ftuar ata që e akuzojnë Shqipërinë “të shohin veten”, ndërsa theksoi se vendi është në një proces të vazhdueshëm përmirësimi. Rama nënvizoi se rritja e ndjeshme e turizmit dhe investimeve të huaja është dëshmi konkrete e këtij transformimi.

Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një destinacion me pak turistë dhe investime të kufizuara, në një vend që pret rreth 12 milionë turistë në vit dhe tërheq rreth 1.6 miliardë euro investime të huaja direkte. Ai shtoi se këto shifra tregojnë qartë se vendi po lë pas korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kryeministri theksoi gjithashtu se investitorët e huaj rrallëherë hasin në raste korrupsioni, duke shprehur bindjen se shumica dërrmuese e tyre do të përgjigjeshin negativisht nëse do të pyeteshin për përvoja të tilla në Shqipëri.

Në përfundim, Rama theksoi se synimi i qeverisë është të çojë këtë përqindje drejt zeros, duke vijuar reformat dhe duke forcuar klimën e biznesit në vend.

“Nuk do të përmend trafikantët, xhirot dhe qarkullimin e drogës nëpër botë, nuk do të bëj asnjë lloj krahasimi. Kjo nuk do të thotë se jemi më të mirë se të gjithë. Por për gjithkënd që thotë jemi më të këqij, i them shihni veten, dhe le të bëjmë punën tonë, më të mirën. Ne po e bëjmë, po bëhemi çdo ditë e më të mirë.

Sot si dëshmi ndryshimi, kemi ecur nga një vend me pak muaj turizmi, me pak milionë turistë, 300-400 mln investime të huaja të drejtpërdrejta, në një vend me shumë më tepër muaj turizmi, me 12 mln turistë, dhe 1.6 mld investime të drejtpërdrejta në vit. Nuk më duket një vend që po vuan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, por po më duket një vend që po i lë pas, ky është fakt.

Në fakt do të isha shumë i lumtur nëse do të bëhej një votim i fshehtë këtu, do të doja votim për ata që investojnë në Shqipëri, më një pyetje shumë të thjeshtë, a keni pasur raste të korrupsionit në vendin tonë, jam i bindur që do të marr përgjigjet me 98% jo. Ne synojmë ta bëjmë 100%. Të gjithë ata që këndojnë këtë refren çdo ditë, u them të ndalen”, tha Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll