POLITIKË /

Rama i përgjigjet Reporterëve pa Kufij: Agjencia e Informacionit për Median ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informacionit

Shkruar nga Versus
Rama i përgjigjet Reporterëve pa Kufij: Agjencia e Informacionit
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me organizatën Reporterë pa Kufij pas publikimit të indeksit më të fundit për lirinë e medias, ku Shqipëria renditet në vendin e 83-të, me një rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Debati nisi pasi Rama ndau një raport të programit SIGMA të OECD, ku Agjencia për Media dhe Informim (MIA) vlerësohej për standardet e saj në komunikimin me median dhe publikun.

Në reagim, Reporterët pa Kufij sqaruan se vlerësimi i tyre nuk lidhet me komunikimin qeveritar, por me lirinë e shtypit.

“Ne masim lirinë e shtypit, jo komunikimin qeveritar. Renditja e Shqipërisë në vendin e 83 (-3) në indeksin e 2026 reflekton sulme politike, abuzim me organet e zbatimit të ligjit, transparencë të ulët në media dhe kërcënime ndaj gazetarëve”, thuhet në reagimin e Reporterëve pa Kufij.

Në përgjigjen e tij, Rama kundërshtoi këtë qasje, duke i sugjeruar organizatës të mbështetet më shumë në raporte të tjera ndërkombëtare që, sipas tij, japin një pamje më të plotë të situatës në vend.

“Nuk thashë kurrë që ju e matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: a nuk është ndoshta një ide e mirë që të lexoni raportet e atyre që e bëjnë vërtet, dhe ta bëni këtë në mënyrë profesionale dhe objektive?

Mund t’ju ndihmojë, sepse dalin kontradikta të rëndësishme midis vlerësimeve tuaja dhe të tyreve kur bëhet fjalë për marrëdhënien midis qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga ajo që pretenduat dikur, dhe më shumë se një herë, Agjencia e Informacionit për Median duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informacionit. Kaq është gjithçka”, u shpreh Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll