Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në podcastin e së dielës “Flasim”, ka deklaruar se Bordi i Transparencës nuk përcakton në mënyrë arbitrare çmimin e naftës, por vepron në përputhje me lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e furnizimit.
Rama u shpreh se sipas të dhënave të bursës së Mesdheut, ditët e fundit është regjistruar një ulje e çmimeve të nënprodukteve të naftës dhe, në përputhje me këtë zhvillim, edhe në Shqipëri është reflektuar një ulje e çmimeve nga Bordi i Transparencës.
Ai theksoi se ky mekanizëm synon të shmangë abuzimet në treg dhe të vendosë një balancë mes çmimeve ndërkombëtare dhe mbrojtjes së konsumatorit vendas.
“Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, por mbikëqyr lëvizjet në treg dhe nuk lejon abuzime ndaj konsumatorëve”, u shpreh Rama.
Sipas tij, roli i Bordit është të sigurojë transparencë dhe të ndërhyjë kur operatorët nuk respektojnë rregullat, deri në masa ndëshkuese në raste shkeljesh.
Rama shtoi se mekanizmi do të vijojë të funksionojë në mënyrë transparente, duke ndjekur zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe duke mbrojtur konsumatorët nga çdo abuzim i mundshëm.
Kryeministri Rama:
Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas.
Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri, dhe, nga ana tjetër, abuzivitetit që, në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh.
E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve.
Deri tani duket se gjithçka funksionon ashtu siç duhet, por do të bëjmë çmos që, deri në përfundim të kësaj situate që nuk varet aspak nga ne, gjithçka të jetë transparente dhe asgjë e tepërt të mos cenojë konsumatorët./Versus.al


