POLITIKË /

Rama "thumba" nga Saranda për pantallonat e Dules e xhaketen e Sules

Rama kërkon votën për PS më 11 maj, ironizon opozitën e shpall riinvestim për ujin e pijshëm

Shkruar nga Versus

Rama "thumba" nga Saranda për pantallonat e Dules e xhaketen e

Nga Saranda, këtë të shtunë më 3 maj, kryeministri dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke prezantuar kandidatët e PS dhe duke vënë në fokus çështje të rëndësishme për zonën, si furnizimi me ujë të pijshëm.

Rama u ndal te problematika e ujit në Sarandë, duke thënë se pavarësisht investimeve të mëparshme, kërkesat janë rritur për shkak të zgjerimit të turizmit dhe shtimit të konsumatorëve:

“Është bërë një investim për ujin, por ndërkohë që në zonat e tjera uji i pijshëm është stabilizuar, në Sarandë janë shtuar shumë më tepër numri i konsumatorëve, edhe për shkak të turizmit, dhe është ulur furnizimi me ujë. Do bëjmë një riinvestim, sepse po shohim projekte të tjera që do ta rrisin shumë cilësinë e turizmit në Sarandë.”

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te përfaqësuesit e opozitës, duke ironizuar procesin e primareve të tyre dhe kandidatët që kanë dalë prej tyre:

“Dhe ai i Kavajës… sa herë e hanë nga bufi hanë atë që u tregon bufi. Ai i shkreti doli fitoi primaret e qarkut të Tiranës, e hëngri bufi.”

Duke vijuar me një tjetër shembull, Rama u shpreh:

“Dash Sula, gjeli i detit të Peqinit, fitoi primaret, ku e keni? Dogji dhe xhaketën Dashi.”

Ai pati edhe një koment për përfaqësuesit e minoritetit grek, duke vënë në dukje përzgjedhjen e PS për ta përfaqësuar këtë komunitet në Kuvend:

“Atyre të minoritetit grek u them: më të zgjuar që merr frymë në territorin e Shqipërisë ua kemi bërë deputet atje. Nëse duan një më të zgjuar se veten, ja ku e kanë. Nëse duan një çyryk që të ketë rrypin e pantallonave të Vangjel Dules, e dinë vetë pastaj.”

Kreu i qeverisë e mbylli fjalën me thirrjen për mbështetje ndaj Partisë Socialiste më 11 maj, duke theksuar se kjo është rruga për të çuar përpara projektet e nisura dhe për të garantuar stabilitet politik në vend.

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: