
Studio ligjore amerikane Kasowitz LLP ka publikuar raportin e tretë lidhur me procesin gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ku ngre shqetësime për atë që e cilëson shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe kufizim të së drejtës për një gjykim të drejtë.
Raporti, i publikuar më 10 mars, thekson se Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka bllokuar Veliajt aksesin e plotë në rreth 60 mijë faqe prova, duke e bërë sipas tyre të pamundur përgatitjen efektive të mbrojtjes. Avokatët pretendojnë gjithashtu se janë vendosur kufizime edhe në komunikimin mes Veliajt dhe avokatit të caktuar nga shteti.
Ndërkohë, më 9 mars, trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme vendosi që SPAK t’i vërë në dispozicion dosjen e provave Veliajt dhe shtyu seancën gjyqësore për 24 mars 2026. Sipas avokatëve amerikanë, mbetet e paqartë nëse ai mund të shqyrtojë një volum kaq të madh dokumentesh brenda vetëm dy javësh.
Në raport thuhet gjithashtu se SPAK po përdor argumente të pabazuara për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit të Veliajt, duke përmendur edhe aktivitetet e tij lobuese dhe të avokimit publik.
“Mbështetja tek aktivitetet e ligjshme të lobimit për të justifikuar vazhdimin e ndalimit të tij është thellësisht shqetësuese”, deklaroi Daniel Fetterman, partner në Kasowitz LLP dhe këshilltar ndërkombëtar i Veliajt, duke shtuar se studioja i është drejtuar me letër Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë për të shqyrtuar procesin.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa në shkurt 2026 dosja ndaj tij kaloi për gjykim. SPAK ka ngritur 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie. Në të njëjtën çështje janë të përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa biznesmenë.

