
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori fjalën në Hagë, për të shprehur revoltën e tij për mbajtjen e seancës pikërisht sot, më 28 Nëntor. Thaçi iu drejtua gjyqtarit se një seancë e tillë do të duhej evituar dhe nuk duhet lejuar që të tilla gjëra të ndodhin.
Teksa mbyllte fjalën e tij, Thaçi i cili prej 5 vitesh mbahet në paraburgimin e Hagës, uroi kombin shqiptar për ditën e pavarësisë, ndërsa bëri thirrje për shqiptarët që të jenë të bashkuar dhe të festojnë së bashku me krenari.
Në fund të fjalës së tij, Thaçi tha se beson që nëntorët tjerë do të festohen bashkërisht.
“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, për këtë arsye jam edhe sot në këtë seancë, sepse jam i përcaktuar për respektimin e shtetit ligjor. Por i nderuari gjyqtar, se në këtë gjykatë, të mos ndodhin gjëra që nuk lejohen të ndodhin në shtetet të huaja përkatëse. Si çdo popull, edhe ne shqiptarët, i kemi traditat dhe vlerat kombëtare shtetërore. Caktimi i kësaj seance sot, më 28 Nëntor, do të duhej evituar. Për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë.
I nderuar gjyqtar, sot çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare, sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare, ku si çdo popull i lirë në botë feston dhe kujton. Sot çdo familje shqiptare, kujton dhe feston. Prandaj, mua nuk më mbetet tjetër, veç t’i uroj shqiptarët për festën e 28 nëntorit, të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht” – tha Thaçi. Versus.al
