
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot aksin provizor të ndërtuar në rrugën Librazhd-Prrenjas pas shembjes që shkaktoi bllokimin e juglindjes për rreth 2 javë. Rama tha se ishte e nevojshme që të vinte vetë për ta parë shembjen, ndërsa pretendoi se ndaj qeverisë ishte hedhur baltë me akuza të pavërteta.
''Qëllimi i kësaj vizite ishte e para të shikonim nga afër për t’ja treguar edhe publikut atë plagën e hapur prej 150 metrash që ka shkaktuar gjithë këtë shqetësim, por që ka shkaktuar edhe një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës mediatike që ka tundur të 700 tenxheret me gjithëfarë lloj shpifjesh e fantazish se medemek u shemb rruga nga korrupsioni, ndërkohë që është shumë e qartë se segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja siç do ta shpjegojë drejtori institutit lidhet me një fenomen natyror’’- u shpreh Rama.
Më tej tha se zona historikisht kishte patur rrëshqitje dherash dhe këtë gjë ia kishte thënë edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
‘’Ju në këtë zonë keni edhe një përfaqësues tuaj legjendar, Taulant Balla i cili ma pati thënë që në krye të herës që zona historikisht ka patur probleme të rrëshqitjeve për shkak të gjeologjisë së vetë. Por jetojmë në një kohë kur ajo fjala e popullit që gënjeshtra ka bërë xhiron e botës më shpejt sesa e vërteta ngre pantallonat, është e përditshme, e përnatshme, e përminutshe. Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe sesa kur e tha populli. E vërteta është në një vështirësi shumë të madhe për shkak të vorbullave e uraganëve të gënjeshtrave që vijnë në të katër anët. Gjithsesi e vërteta në fund del dhe fiton’’- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

