Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka konfirmuar se procesi i numërimit të votave në KZAZ-në e Kasharit ka rifilluar, pas ndërprerjes së përkohshme që erdhi si pasojë e një përplasjeje mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Konflikti mes palëve u shkaktua nga një fletë votimi në të cilën ishin shënuar dy kandidatë, çka krijoi tension dhe ndaloi procesin për disa orë gjatë pasdites së sotme.
Në një deklaratë për mediat, Celibashi u shpreh se situata është tashmë e normalizuar, ndërsa çështja është zgjidhur pa pasoja për ecurinë e procesit.
I pyetur nga gazetarët për vlefshmërinë e fletës së debatueshme, Celibashi refuzoi të japë më shumë detaje.
“Nuk dua ta bëj këtë diskutim këtu, nuk ka asnjë vlerë kjo. Fleta në tavolinë ishte. Do të bësh pyetje që duhen apo. Kam përshtypje që po të përgjigjem në mënyrë serioze për gjëra serioze”, tha Celibashi.
“Numërimi ka rifilluar dhe do të akomodojnë çështjen e vëzhgimit nga përfaqësues të partive politike dhe subjekte. Është pa vëzhgues, përveç ndërkombëtarëve. Ju do jeni prezentë, sa jeni ju jemi të gjithë në rregull”, shtoi më tej.
Kujtojmë që incident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në ambientet e Qendrës së Numërimit të votave nr. 30 në Kashar, ku situata ka dalë jashtë kontrollit pas një debati për një fletë votimi të diskutueshme.
Sipas burimeve zyrtare, vëzhguesi i kandidatit të Partisë Socialiste Ornaldo Rakipi, Rei Nozlli, ushtroi dhunë fizike ndaj sekretarit të KZAZ-së, Remzi Memedi duke e goditur me shkelma.
Sherri nisi gjatë procesit të numërimit të votave preferenciale, kur një fletë votimi u cilësua problematike pasi përmbante dy shënime: një për Ornaldo Rakipin dhe tjetri, sipas raportimeve, për Xhemal Qefalian, të dy kandidatë të PS-së në Tiranë./Versus.al






