Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka deklaruar se Partia Demokratike po kalon një krizë të thellë duke shtuar se shpresonte që kryedemokrati Sali Berisha do gjente një moment që të largohej nga politika.
Madje më tej Malaj tha në A2CNN se ka biseduar me kolegë nga PD të cilët duan që Berisha duan të largohet, por askush nuk gjen forcë që t’i thotë atij që të bëhet president nderi dhe që partia të marrë frymë lirisht.
"Unë besoj që kriza e Partisë Demokratike është shumë e thellë në politikën shqiptare, edhe për faktin që duke qenë pjesë opozitare, ajo duhet të vinte përballë domosdoshmërisë së përmirësimit ndaj mazhorancës, por duke qenë se të dy kryetarët e partive veprojnë si vëllezër siamezë, gjë që e dokumentoi marrëveshja e 2008-ës dhe gati janë edhe marrëveshjet për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, unë kisha shpresuar që Sali Berisha do gjente një moment që të largohej nga politika.
Nuk do të ndodhte ndonjë hata e madhe. Ka ikur Tony Bler, ka ikur Theçeri, ka ikur Merkel, por duket se nuk e lëshon atë parti dhe i ngjan atij njeriut që e rrit vetë fëmijën dhe pastaj i vë duart në grykë dhe e mbyt.
Kam diskutuar dhe me kolegët e Partisë Demokratike, por asnjëri nuk gjen një forcë që ta bindë që të shkojë President Nderi, ta lirojë partinë të marrë frymë. Është një motor që ka ngecur dhe ka ngecur duke penguar edhe gjithë zhvillimet politike në vend"- u shpreh ish-ligjvënësi socialist. Versus.al

