POLITIKË /

Siguria energjetike dhe menaxhimi i krizave, Shqipëria dhe Italia firmosin memorandumin për ngritjen e operatorit të hidrokarbureve

Marrëveshja synon forcimin e sigurisë së furnizimit energjetik, rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe pozicionimin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme energjetike në rajon.

Shkruar nga Versus

Siguria energjetike dhe menaxhimi i krizave, Shqipëria dhe Italia firmosin

Qeveria shqiptare dhe kompania italiane e energjisë Eni S.p.A. kanë nënshkruar në Tiranë një memorandum mirëkuptimi për realizimin e një studimi fizibiliteti mbi krijimin e kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit.

Marrëveshja synon forcimin e sigurisë së furnizimit energjetik, rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe pozicionimin e Shqipërisë si një nyje e rëndësishme energjetike në rajon.

Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi bashkëpunimin si një hap strategjik për zhvillimin e sektorit energjetik në vend.

Rama informoi se bëhet fjalë për krijimin e një kompanie që do të jetë një model i ri i qasjes ndaj tregut kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve.

“Kujtoj se kohë parë, me fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të  krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik i cili bën në njëfarë mënyre edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe faktin se “rrugës u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës”. “Rezervat strategjike të naftës ne i kemi të rregulluara në një kuadër ligjor që me ligjin e ri të çuar përpara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëhet një kuadër i plotë”, shtoi Rama.

Palët pritet të vijojnë me fazat e studimit të fizibilitetit, që do të përcaktojë më tej modelin dhe strukturën e kompanisë së re energjetike.

 

 

 

Poll