
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median ndërkombëtare Financial Times pas më shumë se 3 javësh protestash masive ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e tij të menjëhershme dhe të gjithë klasës politike.
Mes thirrjeve për ndjekjen e tij penale dhe akuzave për korrupsion, Rama pati një përgjigjie.
“Njerëzit thonë se unë jam kumbari i të gjithë kësaj. Unë u them atyre të “f*ck you”. Kaq e thjeshtë,” tha ai. “Nuk është puna ime të provoj se nuk jam Kumbari, është puna e tyre të provojnë se jam Kumbari.”
Ai foli edhe për goditjet e SPAK ndaj lordëve të drogës që pastronin paratë në Shqipëri duke ndërtuar kulla të larta, mes të cilëve edhe për Artur Shehun, njërin prej pronarëve të tokave në Zvërnec. Rama tha se pastrim parash ka edhe në Londër.
"Të thuash se ekonomia shqiptare është [bazuar] në pastrimin e parave, kjo është e tmerrshme," i tha Rama FT në zyrën e tij me pamje nga bulevardi ku dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar çdo natë për më shumë se tre javë.
"Pastrimi i parave është pjesë e ekonomisë sonë, por nuk është një problem kaq i madh," shtoi ai. "Mendoni se nuk ka pastrim parash në Londër? Po. Por a mund të thoni se ekonomia britanike është në një pjesë të madhe pastrim parash? Jo."
Ai përsëriti akuzat se protestat ishin nxitur nga armiqtë e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.
"Ka shumë interes për ta shkatërruar këtë projekt... për shkak të Trumpit," tha ai. "Nëse nuk do të ishte Jared Kushner... askush nuk do të interesohej për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është gjithë urrejtja kundër Trumpit që krijon të gjithë këtë shqyrtim."
Ai tha se ishte i bindur se planet e zhvillimit bregdetar do të vazhdonin pavarësisht protestave.
“Pjesa e rëndësishme është që investitorët nuk janë kriminelë dhe nuk janë [të përfshirë në] pastrim parash”, tha Rama për FT. “Ata janë investitorë të mëdhenj. Është një shans historik për Shqipërinë.” Versus.al

