POLITIKË /

S’ka kompromise! Partitë politike në Kosovë sfidojnë Gjykatën Kushtetuese

Të mërkurën, një tentativë për të afruar palët u bë edhe nga presidentja Vjosa Osmani, por pa rezultat. Ajo theksoi se zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e qartë dhe detyron subjektet politike të veprojnë pa vonesë.

Shkruar nga Versus

 

S’ka kompromise! Partitë politike në Kosovë sfidojnë

Partitë politike parlamentare në Kosovë po e sfidojnë hapur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda një afati 30-ditor. Pavarësisht këtij detyrimi kushtetues, nuk po shihen shenja konkrete për një zgjidhje të afërt, ndërkohë që përpjekjet për kompromis kanë dështuar.

Të mërkurën, një tentativë për të afruar palët u bë edhe nga presidentja Vjosa Osmani, por pa rezultat. Ajo theksoi se zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e qartë dhe detyron subjektet politike të veprojnë pa vonesë.

“Vendimi dhe aktgjykimi i Kushtetueses duhej të zbatohej pa hezitim. Ai e ngarkon partinë fituese me përgjegjësinë për të gjetur përmes kompromisit rrugën drejt konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të reja. Edhe deputetët kanë përgjegjësi direkte në këtë proces,” deklaroi analisti politik Afrim Kasolli.

Seanca konstituive, e nisur më 15 prill, mbetet ende e papërfunduar. Arsyeja kryesore është mungesa e konsensusit për formimin e komisionit që duhet të menaxhojë votimin e fshehtë për postet kyçe parlamentare. Partitë opozitare e kanë cilësuar këtë komision si të antikushtetues, duke bllokuar vazhdimin e procedurave.

“Duket se politika ka vendosur ta komplikojë vetë situatën, të blejë kohë dhe të nxjerrë sfida të reja për një interpretim që është, në fakt, krejt i qartë,” shtoi Kasolli.

Për të dalë nga ngërçi, tri partitë kryesore – Vetëvendosje, PDK dhe LDK – kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese për qartësime të mëtejshme. Presidentja Osmani ka lënë të hapur këtë mundësi, duke kërkuar nga subjektet politike që të veprojnë në përputhje me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës.

Në pritje të një zgjidhjeje, Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa vendi rrezikon të hyjë në një krizë institucionale të thelluar. /Versus.al

Tags:

parti kosove

Poll