Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë mëngjesin e së hënës një takim pune me fokus situatën në qytetin e Tiranës. Takimi, i planifikuar për në orën 08:30, do të mbahet në ambientet e një hoteli në qendër të kryeqytetit, në një format të ngjashëm me mbledhjet e organizuara gjatë dy javëve të fundit.
Sipas burimeve për mediat, në këtë takim do të marrin pjesë deputetët aktualë dhe të rinj, së bashku me drejtorët e institucioneve vendore, të cilët do të raportojnë mbi problematikat e evidentuara në terren.
Këto problematika janë mbledhur pas ndarjes së përfaqësuesve në grupe pune, siç u kërkua nga vetë Kryeministri Rama në një mbledhje të zhvilluar dy javë më parë. Qëllimi i takimit është analizimi i situatave konkrete në lagje dhe komunitete, me synimin për të ndërtuar një platformë më efikase reagimi dhe ndërhyrjeje.
Ky është takimi i tretë me radhë në këtë format, pjesë e një nisme më të gjerë të qeverisë për të forcuar lidhjen mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale, dhe për të rritur ndërveprimin me qytetarët përmes grupeve të drejtpërdrejta në terren. /Versus.al







