
Mes arritjeve më të mëdha të Shqipërisë në fushën e procesit të anëtarësimit drejt BE, kryeministri Edi Rama veçoi Reformën në Drejtësi dhe SPAK-un. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka qenë tejet e ekuilibruar dhe nuk ka shfaqur kah apo qëndrim politik me veprimet e saj ndaj funksionarëve të lartë.
Kreu i qeverisë shtoi se në këtë moment mund të pranohet partneritet me vendet e tjera, por jo leksione kur vjen puna tek lufta kundër korrupsionit.
"Shqipëria po bën diçka unike në rajon, reformën tonë në drejtësi dhe njohjen nga ana jonë të pavarësisë së drejtësisë. Veprimtaria e plotë e SPAK ka krijuar praktikisht në Shqipëri shembullin se lufta kundër korrupsionit është diçka që shkon shumë përtej fjalëve dhe sipërfaqes, shkon shumë thellë dhe është tejet e ekuilibruar pa parë djathtas apo majtas. Me shumë fakte që tregojnë se ajo çka kurrë nuk kishte ndodhur në Shqipëri që prej pavarësisë deri shumë pak vite më parë, po ndodh vitet e fundit. Një gjë që asnjë vend në rajon nuk mund të pretendojë se e ka bërë. Në këtë moment, ne pranojmë mbështetje, partneritet por nuk pranojmë leksione nga askush kur vjen puna te lufta kundër korrupsionit”, tha Rama. Versus.al
